Këto janë pamjet kur agjentë të krimit të organizuar në Policinë e Tiranës, arrestojnë 4 personat pjesë e një grupi kriminal që trafikonin armë zjarri nga Kosova në Tiranë.

Gjatë operacionit u kapën 10 pistoleta, me krehër e municion luftarak të cilat ishin fshehur në këtë çantë.

Prangosja e tyre u krye në afërsi të terminalit të autobusëve në Lundër, aty ku këta persona morën armët e zjarrit të cilat në Shqipëri i kishin futur përmes autobusëve të linjës Kosovë-Tiranë.

Mes të arrestuarve ishte dhe pronari i linjës së autobusëve, që përdorej për trafik armësh, 25-vjeçari Edison Thaçi.

Ky i fundit, sipas dyshimeve të Policisë së Tiranës, u kishte ardhur në ndihmë pjestarëve të tjerë të grupit kriminal edhe më parë, për të trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, si Vlora, Elbasani, Korça etj.

Pistoletat e sekuestruara në këtë operacion, ka dyshime se do të shiteshin për vlerën nga 1500-3000 Euro copa.

Gjithashtu në cilësinë provës materiale u sekuestruan dhe 5 celularë përmes të cilave Policia e Tiranës shpreson të zgjerojë rrethin e personave të përshirë në këtë trafik, si dhe porositësit e armëve.

NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, finalizoi operacionin e koduar “Transportuesi 2”.

Gjatë operacionit, në vendparkimin e një terminali autobusëzh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.   

Shtetasi B. K. dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th., një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak. Më pas, shtetasi B. K., në bashkëpunim me shtetasin M. K., kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itnerarit.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste.    

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Tv Klan