Një ambient në të cilin kultivoheshin bimë narkotike është zbuluar në zonën e Selitës në Tiranë. Bëhet fjalë për një magazinë shtetërore ku brenda saj ishin instaluar llamba dhe pajisje të tjera për kultivimin e bimëve narkotike.

Aktiviteti kriminal ushtrohej në katin e dytë të magazinës ndërsa kati i parë i objektit është në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Deri më tani policia ka ndaluar dy persona, si dhe ka sekuestruar bimë narkotike dhe pajisjet që përdoreshin për të rritur fidanët.

Dyshohet se magazina përdorej prej një kohe të gjatë për kultivim drogën, ndërsa në hetime është përfshirë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të evidentuar nëse efektivët e Komisariatit nr.2 kanë qenë në dijeni të aktivitetit kriminal.


Ndërkohë, policia e Tiranës, në një njoftim për mediat sqaron se brenda objektit që rezulton i privatizuar, u zbuluan 105 bimë kanabisi të kultivuara në vazo.

“Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave. Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat. Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast”, thotë policia e Tiranës në njoftimin e saj për mediat.

Klan News