Iu dha si shpërblim nga regjimi i Milosheviçit
Të tjera fakte që tregojnë lidhjet e ngushta të nobelistit në Letërsi të këtij viti Peter Handke me regjimin e Millosheviçit janë zbuluar nga portali investigativ The Intercept.
Ky portal ka publikuar foton e një pasaporte jugosllave të Handkes, të lëshuar më 15 Qershor 1999. Hidhen dyshime se pasaporta i është dhënë si shpërblim nga regjimi i Millosheviçit, për mbështetjen e fortë publike që ai i jepte, kur e gjithë bota e akuzonte për krime lufte në ish-Jugosllavi.
Pretendimi që pasaporta i është dhënë si shpërblim, mbështetet në faktin se sipas ligjeve të kohës, shtetësia jugosllave i jepej vetëm qytetarëve nga vendet e federatës. Handkes i është lëshuar në mënyrë të jashtëligjshme nga Ambasada Jugosllave në Vjenë ku ka lindur dhe ka qenë rezident.
Fotografia e pasaportës së Handkes i ishte dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Vjenës nga një bashkëpunëtor i tij Hans Vidrish. Ai shprehet për The Intercept, se Handke i kishte thënë se pasaportën e kishte kërkuar sepse udhëtonte shpesh në Serbi dhe se me këtë dokument përfitonte përgjysmim çmimi në hotelet vendase, një argument aspak i vërtetë.
Tv Klan