“Tetori rozë” është një muaj ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit që jo vetëm sensibilizon, por edhe shërben për ndarjen e rrëfimeve të pacienteve që e kanë luftuar ose vazhdojnë betejat.
Alketa Ahmetaj është një prej grave që ka mundur ta mposhtë “vrasësin e heshtur”. Në fillim ishte vetëkontrolli gjatë dushit kur në gji ndiente diçka, por nuk i kushtonte rëndësi. Në moshën 42-vjeçare, Alketa u bë nënë e një vajze së cilës u detyrua t’i ndërpriste gjirin për shkak të një komplikacioni.
Alketa Ahmetaj: Fakti që kur bëja atë dushin tradicional unë prekja diçka dhe nuk më pëlqente në gjirin e djathtë. Bëra një lindje të vonuar, në moshën 42 vjeç unë linda vajzën dhe fatkeqësisht vajza ime u rrit me formulë pasi unë ditën e dhjetë të operacionit, bëra një trombozë në këmbën e majtë dhe m’u desh ose mjekët më sugjeruan t’ia hiqja gjirin vajzës dhe të vazhdoja mjekimet e trombozës.
Muaji gusht shënon për Alketën ngjarjet e bukura dhe të trishta të jetës. Më 18 është ditëlindja e saj kur mbushi edhe 47 vjeç, më 23 është ditëlindja e së bijës ndërsa data 27 i kujton humbjen e dy binjakëve në vitin ’91. 27 gushti ishte edhe dita kur mësoi se kishte kancer.
Alketa Ahmetaj: 27 gushti për mua është një datë për mua që unë nuk e harroj sa të jem gjallë sepse kam humbur dy bebe, në vitin ’91, dy djem në maternitet dhe 27-a ishte dita që unë shkoja gjithmonë dhe shkoj gjithmonë pranë tyre në varreza. Kur po kthehesha, më ra të fikët, po them që çdo gjë m’u nxi, sipër varrit të tyre, diçka nuk shkoi, fillova një dridhje që kishte kohë që e kisha. Kur ngjitem lart në shtëpi, thashë po bëj këtë dushin ritual dhe shikoj që kjo masa që unë e prekja kaq kohë, më kishte kërcyer dhe kishte dalë jashtë, ishte bërë si një kokërr arrë, goxha e prekshme. Aty u shqetësova. Më filloi një dhimbje trupi që thashë hë se kjo gjëndra që unë e kam vizituar por është rritur, do të ikë me kalimin e kohës, neglizhenca e parë.
Por përpara se të vinte kjo pjesë e kësaj gjëndrës, gjatë kohës që unë linda vajzën kam pasur një dhimbje shpatulle shumë të fortë, sa nuk arrija qumështin që e ushqeja, më binte shishja ose vajzën nga ky krah nuk e mbaja dot. Kam shkuar e kam bërë 6 gjilpëra në kockë duke menduar që është tharë lëngu etj, gjë që më vonë mora vesh që s’kishte lidhje fare.
Agida Koçi: 5 vjet ti ke qëndruar me tumor?
Alketa Ahmetaj: Po. Dhe është kjo e keqe që ti në atë moment nuk ndien gjë, thjesht dhimbja e parë ka qenë e shpatullës, por edhe pjesën mbrapa komplet, supën dhe shpatullën mbrapa, kisha dhimbje therëse. Edhe kur bëja punët, më shponte, duhet të drejtoja kurrizin se diçka mbrapa kurrizit më shponte, më përvëlonte por thosha u lodha.
Këputja e gjunjëve, djersët, dhimbja e kokës që nuk qetësohej dhe rënia e shtuar e flokëve ishin disa nga simptomat që Alketa po i përjetonte vazhdimisht. Momenti kur ajo më në fund vendosi të kërkonte ndihmë ishte pikërisht kur zbuloi gjëndrën që rezultoi të ishte një kancer malinj në gjirin e djathtë./tvklan.al