Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski është takuar në Paris me Presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump dhe Presidentin francez Emannuel Macron.
Shumë liderë botërorë ndodhen në Paris me ftesë të Presidentit Macron për rihapjen e Notre Dame pas restaurimit nga zjarri.
Ceremonia u bë shkas edhe për takime të caktuara mes liderëve, ku spikati ai i Trump me Zelenskin.
Ky i fundit e cilësoi “një takim trepalësh të mirë dhe produktiv”. Takimi u zhvillua në Pallatin Elize me ftesë të Macron. Tema e diskutimit ishte sigurisht lufta në Ukrainë.
“Të gjithë duam që lufta të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë”, u shpreh Zelenski në një postim në rrjetin social “X”, duke shtuar se 3 vendet (SHBA, Francë, Ukrainë) ranë dakord që të vazhdojnë të punojnë së bashku.
Sa i përket Presidentit të zgjedhur amerikan, Zelenski tha: “Si gjithmonë, Trump është i vendosur”.
Disa muaj më parë, Donald Trump ka thënë se mund t’i japë fund brenda një dite luftës në Ukrainë me Rusinë, por pa specifikuar se si.
Mbetet për t’u parë nga muaji Janar 2025 kur dhe Trump do të hyjë zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
/tvklan.al