Nga Davosi, Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka deklaruar se të paktën 200,000 paqeruajtës evropianë do të nevojiteshin për të parandaluar një sulm të ri rus pas çdo marrëveshje armëpushimi.

“Nga të gjithë evropianët? 200,000, është një minimum. Përndryshe është asgjë nëse nuk ndihmojnë. Ata thjesht kanë zyra dhe vetëm kaq”, tha Volodymyr Zelensky.

Zelensky tha se të paktën ky numër do të ishte i nevojshëm si një garanci sigurie, ndërsa bëri të ditur se po punonte për të krijuar një takim mes tij dhe Trump.

“Ekipet janë duke punuar për një takim me Trump. Nëse ai është gati të shohë Ukrainën në NATO, ne do të jemi në NATO. Të gjithë anëtarët do të jenë në favor të saj”, tha Zelensky.

Ai ndër të tjera u shpreh se Ukraina nuk do të njohë territoret e pushtuara si ruse edhe nëse të gjithë aleatët e botës bashkohen.

Gjithashtu edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes deklaroi se Rusia po paraqet një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Bashkimit Evropian.

“E vetmja gjuhë që flet Presidenti rus Vladimir Putin është gjuha e forcës. Ne duhet t’i tregojmë atij se ai do të humbasë përpara se të sulmojë njërin prej nesh. Dështimi i Evropës për të investuar në kapacitetet ushtarake dërgon gjithashtu një sinjal të rrezikshëm për agresorin. Presidenti i SHBA Donald Trump ka të drejtë që thotë se ne nuk shpenzojmë mjaftueshëm. Është koha për të investuar”, tha Kaja Kallas.

Trump tha në fillim të këtij muaji se anëtarët e NATO-s duhet të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje, një rritje e madhe nga objektivi aktual prej 2% që është tani.

Klan News