Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve botërore që të qëndrojnë krah vendit të tij dhe të mos kërkojnë alternativa “daljeje nga lufta” me Rusinë, por paqe të vërtetë.
Në një kohë që ai përballet me trysni në rritje nga aleatët perëndimorë dhe qytetarët e Ukrainës për të negociuar një armëpushim, Zelenskyy tha në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se nuk ka alternativë tjetër veç “planit të paqes” që ai paraqiti dy vjet më parë.
Veç të tjerash, plani kërkon largimin e të gjitha forcave ruse nga Ukraina si edhe vënien e tyre para përgjegjësisë për krimet e luftës.
“Çdo përpjekje paralele, ose alternative për vendosjen e paqes, në fakt do të ishte përpjekje për të kërkuar dalje nga lufta me Rusinë në vend të përfundimit të luftës. Mos e përçani botën. Bashkohuni si kombe dhe kjo do të na sjellë ne paqe”, bëri thirrje ai.
Zelensky informoi Asamblenë se presidenti rus, Vladimir Putin, po planifikon që të sulmojë centralet e energjisë bërthamore dhe infrastrukturën në Ukrainë, me qëllim që t’i shkëpusë uzinat nga rrjeti elektrik.
“Çdo sulm raketor apo me dron, çdo incident kritik në sistemin e energjisë mund të çojë në katastrofë bërthamore”, tha ai.
Zelensky gjithashtu kritikoi Kinën, që nga njëra anë propozon plan paqeje dhe nga ana tjetër ndihmon ushtarakisht Rusinë.
Rusisë nuk i ka ardhur ende radha për të folur në Asamblenë e OKB-së. Presidenti Vladimir Putin nuk po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të këtij viti.
Presidenti Zelenksyy tha të martën gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se duhen ndërmarrë veprime që Rusia “të detyrohet të pranojë paqen” dhe se nuk ka kuptim që të vazhdohet me bisedime paqeje me Putinin. Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se deklaratat e Presidentit ukrainas përbëjnë një “gabim fatal” me pasoja të pashmangshme për Kievin.
Ndërsa zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, agjencitë europiane të zbulimit njoftuan se Rusia dhe Kina po zhvillojnë një projekt të përbashkët sekret për të prodhuar dronë brenda Kinës.
Klan News