Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar liderëve perëndimore që të bëjnë presion ndaj Rusisë për paqe duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme. Nga Spanja, Zelensky tha se duhej të ketë një shtrëngim ndaj Rusisë, e cila tha se po kërkon të shkatërrojë Ukrainën.
Prej kohësh, Zelensky ka deklaruar se nuk do të negociojë drejtpërdrejt me Rusinë derisa forcat e Moskës të largohen nga i gjithë territori ukrainas, përfshirë Krimenë. Kjo thirrje e tij vjen teksa duket se Rusia po fiton kundër Ukrainës me Kievin që po vuan nga mungesa e furnizimit me armë.
“Ne duhet të punojmë së bashku dhe të bëjmë presion jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj partnerëve tanë për të na dhënë mundësinë të mbrohemi kundër Rusisë”, tha udhëheqësi ukrainas.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas hodhi poshtë idenë e ftesës së Rusisë në një samit të planifikuar të paqes në Zvicër muajin e ardhshëm. Samiti pritet të përfshijë përfaqësues të më shumë se 90 vendeve. Delegatët do të përpiqen dhe të hartojnë një kurs për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në 10 kërkesat e paraqitura nga Kievi.
Këto kërkesa bëjnë thirrje për kthimin e të gjithë territorit të pushtuar, pagesat e dëmshpërblimeve për dëmet e lidhura me luftën dhe krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimet ruse të luftës, një plan që Moska e ka hedhur poshtë kategorikisht.
Nga ana tjetër, Rusia ka thënë publikisht se është e gatshme për bisedime paqeje me kusht që territoret e pushtuara tashmë në Ukrainë të mbeten nën kontrollin e saj. Të hënën, Rusia tha se forcat e saj kishin kapur dy fshatra të tjerë në Ukrainën lindore./tvklan.al