Ashtu si në çdo seancë gjyqësore gjatë fazës hetimore Saimir Tahiri është paraqitur vetë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Këtë të mërkurë do shqyrtohej ankimi i tij ndaj vendimit të Prokurorisë për të zgjatur afatet hetimore me 3 muaj të tjerë. U shfaq i qetë dhe i buzëqeshur në sallë gjatë kohës që priti prokurorët të vinin në sallë.
Me nisjen e seancës prokurorët kërkuan largimin e medias nga salla për të ruajtur sekretin hetimor. Ky moment shërbeu për të nisur debatin e Tahirit me Prokurorinë, pasi për të kjo çështje nuk kishte me sekrete.
Në fund gjykata vendosi të shtyjë seancën për në 11 Shkurt, pasi kërkoi disa materiale shtesë nga Prokuroria të cilat nuk ishin në dosje. Ajo çka ndodhi në sallë u reflektua në fjalën e Tahirit në dalje nga gjykata.
Që nga fillimi i hetimeve për Tahirin, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shtyrë 5 herë afatet hetimore për çështjen në ngarkim të tij, pasi është në pritje të një letërporosie nga Mali i Zi, ndërsa kërkon më shumë kohë për materialet e ardhura nga Italia.
Tv Klan