Pavarësisht se Presidenti e argumentoi dekretimin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës në 4 gusht si veprim të bazuar në ligj në rast vakancash, për t’u vënë në lëvizje brenda 48 orëve nga dalja e njoftimit, demokratët e akuzojnë atë dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi si shërbëtorë të Kryeministrit Rama.
Në një dalje për mediat nga selia blu, Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Ivi Kaso tha se këto dy institucione kanë vepruar në shkelje të ligjit duke i mohuar Fredi Belerit të drejtën për apelimin e vendimit.
“Të dy në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje pa filluar ende afati i ankimit.”
Sipas opozitës, urgjenca e dekretimit të zgjedhjeve në Himarë në shkelje të ligjit dëshmon se Fredi Beleri është një i burgosur politik i Edi Ramës.
Tv Klan