Komisioni Europian nis zyrtarisht procedurat që mund të çojnë në marrjen e masave kundër rrjetit social TikTok, që dyshohet se u përdor si mekanizëm nga vende të huaja për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Rumani.

Procedurat synojnë grumbullimin e fakteve që vërtetojnë, nëse TikTok shkeli rregullat e Bashkimit Europian për reklamat me përmbajtje politike.

Hetimi kërkon të zbulojë nëse të gjitha materialet që reklamonin mesazhe politike në rastin e kandidatit pro-rus Kalin Georgescu u etiketuan sipas detyrimit ligjor, si mesazhe me përmbajtje politike.

Nëse vërtetohet shkelja, rrjeti me qendër në Kinë mund të gjobitet me një gjobë të majme sa 6% e të ardhurave globale të saj.

Gjykata Kushtetuese në Rumani anuloi në mënyrë të paprecedentë rezultatin e raundit të parë të presidencialeve të 24 Nëntorit, pasi mori për bazë të dhënat e zbulimit vendas për ndërhyrje masive të fshehtë nga Rusia në mbështetje të radikalit të djathtë Georgescu, që u rendit papritur i pari.

Tv Klan