Certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe shpërndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politik do të finalizohet ditën e hënë në mbledhjen e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Përfundimi i këtij procesi të gjatë zgjedhor vjen pas mbylljes së ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor.
Për kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani, nxjerrja e rezultateve përfundimtare po bëhet më shpejt se parashikimet.
Arben Ristani: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mandatuar listat shumë emërore dhe kandidatët që kanë fituar nga listat shumë emërore të subjekteve zgjedhore për 9 qarqe të vendit deri tani dhe kanë ngelur vetëm qarku, fituesit nga listat shumë emërore të subjekteve politike për qarqet e Shkodrës, Tiranës dhe Fierit. Unë mendoj që ditën e hënë do të mbyllen të gjitha qarqet duke shpallur rezultatet përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe në këtë formë duke i përmbyllur këto zgjedhje me sukses besoj.”
Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe në këtë mënyrë subjektet që kanë ankimuar vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bazuar në nenin 158 të kodit elektoral, nuk mund të bëjnë ankimime të tjera./tvklan.al