Ky zjarr masiv që përfshiu një hotel në vendpushimin turk të skive në provincën Bolu u mori jetën 76 personave ndërsa 51 të tjerë mbetën të lënduar.
Zjarri shpërtheu në hotelin 12-katësh në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte kur brenda ndodheshin 234 persona, sipas autoriteteve.
Flakët nisën në rrethana të paqarta në restorantin që ndodhej në katin e katërt dhe më pas u shpërndanë me shpejtësi edhe në pjesën e sipërme.
Autoritetet thanë se të paktën 2 persona humbën jetën pasi u hodhën nga dritaret pasi kishin mbetur të bllokuar në dhomat e tyre.
Bilanci u rëndua edhe për shkak se zjarrfikëset shkuan me të paktën një orë vonesë për shkak të distancës së resortit nga qendra e qytetit dhe rrugës së ngrirë.
Një pjesë e madhe viktimave humbën jetën nga asfiksia. Duke parë vonesën e zjarrfikëseve një pjesë e pushuesve përdorën çarçafët për të zbritur nga dritaret.
Përpjekjet e 270 zjarrfikësve dhe shërbimeve të emergjencës vijuan deri në orët e para të mëngjesit.
Resorti ishte i tejmbushur për shkak të pushimeve shkollore që zgjasin deri javën e parë të shkurtit me vizitorë nga Stambolli dhe Ankaraja.
Në vendin e ngjarjes shkoi Ministri i Brendshëm që tha se operacioni për shuarjen e zjarrit zgjati 10 orë dhe se kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
9 persona përfshirë edhe pronarin e resortit janë arrestuar nga policia ndërsa presidenti Erdogan e shpalli 22 Janarin ditë zie kombëtare.
Tv Klan