Teksa forcat zjarrfikëse në bashkëpunim me efektivë të FA po punojnë për shuarjen e zjarrit në Qafën e Llogarasë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka një apel për qytetarët.
“Për shkak të situatës së krijuar nga zjarri i rënë në qafën e Llogarasë, në një sipërfaqe me shkurre e barishte dhe që ka shkaktuar tym, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin kalimin në këtë rrugë. Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave janë duke punuar për të vënë në kontroll situatën. U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe emergjencave civile për lëvizjen e tyre, në mënyrë që të lejohen mjetet dhe efektivët të punojnë për shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, shkak për përhapjen e flakëve është bërë një shkëndijë elektrike. Në dispozicion të efektivëve të FA është vënë dhe një helikopter i cili po punon nga ajri për të neutralizuar situatën.
/tvklan.al