Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për zjarrin e ndodhur në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Siç thuhet në njoftimin zyrtar është regjistruar një procedim penal për veprën “Shkatërrim i pronës me zjarr”.

Pritet që të dokumentohet vlera e dëmit të shkaktuar dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

“Ky procedim penal, është regjistruar pa persona në hetim, për të hetuar mbi zjarrin e rënë në katin e parë të Urgjencë së Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në orët e para të mëngjesit të 11.02.2024. Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit. Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare”, thotë Prokuroria.

Kujtojmë se zjarri u raportua rreth orës 05:30 në katin e parë të ndërtesës më 11 Shkurt, e ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Fillimisht u tha se shkak ishte bërë një shkëndijë elektrike, megjithatë pritet që më shumë detaje të dalin në vijim./tvklan.al