Votuesit në Kroaci kanë rizgjedhur Zoran Milanoviç për një mandat të dytë, pasi ai fitoi pothuajse tre të katërtat e votave në zgjedhjet presidenciale të vendit.

Ai la pas kundërshtarin e tij, Dragan Primorac, i cili kishte mbështetjen e partisë qeverisëse të qendrës së djathtë Bashkimi Demokratik Kroat. Primorac mori 25 përqind të votave, rezultati më i keq ndonjëherë për forcën më të fuqishme politike të Kroacisë.

“Kjo është një ditë e madhe për mua personalisht dhe unë e perceptoj këtë triumf si një formë mirënjohjeje dhe si vlefshmëri e përpjekjeve të mia gjatë pesë viteve të fundit, që përfaqëson besimin e publikut tek unë”, tha Zoran Milanoviç.

Kryeministri Andrej Plenkoviç nuk pranoi të uronte fituesin dhe këmbënguli se Milanovic nuk ofron asgjë. Zoran Milanoviç, viteve të fundit  ka përdorur gjithnjë e më shumë retorikë populiste dhe shpesh fyese për të kritikuar Bashkimin Evropian dhe zyrtarët lokalë.

Ai gjithashtu fitoi lehtësisht në raundin e parë të votimit më 29 Dhjetor, duke lënë pas Primorac dhe gjashtë kandidatë të tjerë. Balotazhi midis dy pretendentëve kryesorë ishte i nevojshëm sepse Milanoviç nuk arriti të siguronte 50% të votave.

Kroacia, e cila ka një popullsi prej 3.8 milionë banorësh, po lufton me inflacionin e lartë, skandalet e korrupsionit dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Milanoviç ka qenë një kritik i shpeshtë i partisë qeverisëse dhe ka kritikuar shpesh mbështetjen ushtarake të Perëndimit për Kievin. Para se të bëhej president, Milanovic ishte kryeministër i Kroacisë nga 2011 deri në 2016 dhe drejtoi Partinë Social Demokrate të qendrës së majtë nga 2007 deri në 2016.

Klan News