Të martën nisin procedurat për kreun e ri
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili tre mandate, nga viti 2013, është në krye të socialdemokratëve, paralajmëroi se të martën do të caktojë seancën e Këshillit Ekzekutiv dhe Qendror të LSDM-së, ku siç tha, do të dorëzojë dorëheqjen nga funksioni partiak.
Edhe pse paralajmëroi se do të zgjidhet Qeveri e re, me mandatar të ri, Zaevi nuk konfirmoi se trashëgimtari i tij do të jetë Dimitar Kovaçevski, i cili e shoqëronte në takimin e së Premtes me liderin e Alternativës, Afrim Gashin.
“Dimitar Kovaçevski është Zv/Ministri aktual për Financa, është anëtar i Këshillit Ekzekutiv, anëtar i udhëheqësisë së LSDM-së dhe në këtë cilësi është i pranishëm. Ai është edhe Kryetar i Komisionit për Financa, anëtar i shtabeve të LSDM-së dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt”, tha Zaev.
Ndërkohë, më 12 Dhjetor në Shkup, VMRO-DPMNE-ja do ta mbajë Kongresin e rregullt partiak, ku do të trasohet rruga e veprimit të ardhshëm dhe politikat e partisë – kanë njoftuar nga kjo parti.
Në Kongres do të zgjidhet edhe lideri partiak për shkak se mandati i Hristijan Mickoskit skadon kah fundit i Dhjetorit. VMRO-DPMNE vlerëson se zgjidhja e vetme për dalje nga kriza janë zgjedhjet e shpejta, për shkak se Qeveria e Zoran Zaevit dhe LSDM-së nuk kanë kredibilitet pas rezultateve në zgjedhjet lokale.
Klan Macedonia