Ndeshja e fundit për ditën e 6-të të europianit do të zhvillohet në Këln mes Skocisë dhe Zvicrës, e vlefshme për grupin A.

Në formacionin e helvetëve rikthehet Xherdan Shaqiri, i cili mungoi në ndeshjen e parë ndaj Hungarisë. Kjo do të jetë ndeshja e 10-të në një kompeticion europian për Shaqirin ku ka shënuar 4 gola për skuadrën e tij.

Për skocezët do të mungojë Ryan Porteous, i ndëshkuar me të kuq në ndeshjen hapëse ndaj Gjermanisë. UEFA ka vendosur që qendërmbrojtësi do të dënohet me dy ndeshje për ndërhyrjen e gabuar të realizuar në ndeshjen e së premtes në dëm të kapitenit gjerman Gundogan. Hanley do të zëvendësojë Porteous në mbrojtje. Një tjetër ndryshim ka ndodhur në formacionin skocez. Në mesfushë trajneri Steve Clack ka ulur në stol Christie, titullar ndaj Gjermanisë dhe në vendin e tij do të luajë Gilmour.

Një nga duelet më interesante të ndeshjes pritet të jetë ai mes Shaqirit dhe Robertson. Mbrojtësi skocez i krahut do të ketë një detyrë të vështirë përballë një sulmuesi krahu me përvojë si Shaqiri. Robertson dhe Shaqiri kanë qenë shokë skuadre tek Liverpool në vitet 2018=2021.

Skocia u mposht me shifrat e thella 5-1 në ndeshjen e hapëse, ndërsa Zvicra, triumfoi ndaj Hungarisë me rezultatin 3-1, në ndeshjet e vlefshme për grupin A.

Formacionet:

Skocia: Gunn, Ralston, Hendry, Hanley, Tierney, Robertson, McGinn, McGregor, Gilmour, McTominay, Adams.

Zvicra: Sommer, Schar, Akanji, Rodriguez, Widmer, Xhaka, Freuler, Shaqiri, Aebischer, Vargas, Ndoye.