Mauricio Pochettino, është trajneri më i ri i kombëtares amerikane të futbollit. Tekniku argjentinas, ka firmosur kontratë 2-vjeçare, për të drejtuar SHBA-në.

Trajneri 52-vjeçar largohet nga Evropa, ku në vitet e fundit ka drejtuar skuadra si Tottenham, PSG-ja dhe Chelsea.

SHBA, do të jetë organizatore e Kupës së Botës 2026, së bashku me Kanadanë dhe Meksikën. Drejtuesit kanë vendosur t’i besojnë drejtimin Pochettino-s, për të synuar rezultate pozitive në Botëror.

“Vendimi për t’u bashkuar me futbollin amerikan për mua ka të bëjë me rrugëtimin që po kalon ky ekip dhe ky vend. Energjia, pasioni dhe uria për të arritur diçka vërtet historike këtu, këto janë gjërat që më frymëzuan. Mundësia për të udhëhequr ekipin kombëtar të meshkujve të SHBA-së, para tifozëve që janë po aq të pasionuar sa lojtarët, është diçka që nuk mund ta humbisja. Unë shoh një grup lojtarësh plot talent dhe potencial, dhe së bashku, ne do të ndërtojmë diçka të veçantë për të cilën i gjithë kombi mund të jetë krenar”, ishin fjalët e para të Pochettino-s pas zyrtarizimit.

Argjentinasi do të pasojë në stolin e SHBA-së, të larguarin Gregg Berhalter, i cili u shkarkua pas dështimit në Kupën e Amerikës. /tvklan.al