Pas takimit me kryeministrin Rama, Presidentin Meta dhe kreun e PD Basha, ambasadorja e SHBA në Tiranë ka folur mbi çështjet që janë diskutuar.
Në një deklaratë në faqen zyrtare të Ambasadës, Yuri Kim shprehet se në takimet e zhvilluara sot me liderët kryesorë të politikës, në qendër të diskutimeve ka qenë zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara.
“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit”.
Ajo theksoi se kanë diskutuar gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi.
“Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar”.
Në mbyllje të kësaj deklarate, Kim ka siguruar popullin shqiptar se SHBA do të jetë aty për të vëzhguar dhe kontribuar.
Në një reagim në Twitter, kryeministri Edi Rama e ka falënderuar Kim për lajmin e mirë se SHBA do ta rrisin shumën e deklaruar në Bruksel për Rindërtimin.
“Nisja e punës së përbashkët për Akademinë e Transparencës realizon një kërkesë tonën ndaj miqve të çmuar për ta bërë Rindërtimin shembull edhe në këtë aspekt”. /tvklan.al