Luftërat, ndryshimet klimatike, varfëria si dhe shumë faktorë të tjerë po thellojnë gjithnjë e më shumë krizën humanitare. Sipas të dhënave të bëra publike nga UNICEF në botë 1 në 4 fëmijë jeton në vendet lufte apo në vende të prekura nga katastrofat natyrore.

Nisur nga kjo, organizata do të nisë në 2020-n mbledhjen më të madhe të fondeve. UNICEF synon të grumbullojë 4.2 miliardë dollarë për rreth 59 milionë fëmijë që ndodhen në kushte të vështira në 64 vende të botës.

Drejtoresha e UNICEF Henrieta For ka deklaruar se numri më i madh i fëmijëve që jetojnë në zonat e konfliktit janë ata në Afganistan, Jemen, Sudanin Jugor, Republikën e Afrikës Qendrore, Republikën Demokratike të Kongos, Siri, Irak, Mali, Nigeri dhe Somali.

Ajo shprehet gjithashtu se përveç konflikteve, uria, sëmundjet infektive kanë detyruar miliona persona të kërkojnë ndihmë. Situata mbetet gjithashtu kritike edhe në kampet e refugjatëve në Bosnje dhe Greqi ku numri i tyre e ka kaluar normën.

Me paratë që shpreson të mbledhë, UNICEF planifikon që të mjekojë fëmijët, të kryejë vaksinim në masë kundër fruthit, si dhe të bëjë të mundur furnizimin me ujë për përdorim vetjak.

Klan Plus