Edukimi financiar është një nga aftësitë më të mira në formimin e fëmijëve pasi marrëdhënia me paranë na shoqëron përgjatë gjithë jetës. Gjatë diskutimit në “Gjenerata Alfa”, u prek edhe tema nëse të rinjtë duhet të punojnë pa mbushur moshën ligjore. Mes mendimeve pro dhe kundër të tyre, erdhi edhe këndvështrimi i një prindi që ka pasur një eksperiencë me dy djemtë.

Alba Haruni tregon për  rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se djali i madh ka punuar që në moshën 14-vjeçare dhe nuk ka ndikuar në rezultatet mësimore. Gëzimi i saj më i madh ishte kur vetëm nga iniciativa vetjake, ai i dorëzoi rrogën e parë.

Djali i dytë gjithashtu nisi punë pa mbushur 18 vjeç, por duke qenë në një “call center”, ngarkesa ishte e lartë. Alba nuk e këshillon si zgjedhje, ndërsa sa i përket rrogës së tij, ajo mban ende kartën e të birit.

Ardit Gjebrea: Ndonjë nga ju ka pasur ndonjë eksperiencë me fëmijë në punë apo jo?

Alba Haruni: Me të dy djemtë e mi. I madhi ka punuar që në moshën 14-vjeçare.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Alba Haruni: Po. Klasën e nëntë e ka bërë punë dhe shkollë, paralelisht dhe ka qenë i shkëlqyer me mësime, pra kush do i bën të dyja. Nuk e ka bërë as për nevojë ekonomike, as i detyruar nga ne prindërit se nuk ia plotësonim, thjesht ishte një zgjedhje e tij, një mundësi që iu dha për të punuar diku në një televizion sepse e pa si marrje të një profesioni. Djali i dytë filloi punë 16  vjeç, filloi punë në “call center”. Aty po, e kam shkëputur unë sepse një punë në “call center” sepse vërtet i ndikonte në shkollim, në mësim sepse ishte ngarkesë dhe nuk jam kurrë dakord që një fëmijë adoleshent që shkon në gjimnaz të shkojë të punojë në “call center” sepse ka ngarkesë mendore dhe nuk e përballon dot.

Ardit Gjebrea: Dhe djali që punonte  që 14 vjeç, si e menaxhonte rrogën e tij?

Alba Haruni: Jo, rroga e parë e tim biri nuk ka qenë koha me karta, merrej me bordero, në dorë dhe normalisht që kënaqësia ime më e madhe ka qenë kur ka ardhur pa ia thënë unë, tha “mami, kjo është rroga ime”.

Ardit Gjebrea: Sot është i martuar?

Alba Haruni: Bashkëjeton.

Ardit Gjebrea: Mos ia jep rrogën bashkëjetueses apo jo?

Alba Haruni: Këtu dua të dal sepse nëse unë do të mësoja fëmijën tim të mbante lekun e vet, në momentin që do të bashkëjetojë, do të krijojë familje, si i bie pastaj që ajo vajza dhe ky djali që janë mësuar të mbajnë secili lekun e vet, nuk do i bashkojnë në familjen e re? Sepse duhet të mendojmë edhe për të ardhmen. Kurse djali i dytë që vazhdon jeton me mua, i mbaj kartën e bankës unë.

Ardit Gjebrea: Është e shëndetshme?

Alba Haruni: Është shumë e shëndetshme.

Ardit Gjebrea: Vërtet? Ia jepni ju lekët për kafe?

Alba Haruni: Po, ia jap unë sigurisht, për të gjitha nevojat./tvklan.al