FSHF dhe UNICEF kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunim për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve përmes futbollit.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ishin të pranishëm Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dhe përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Murat Sahin.
Synimi është që të krijohet një mjedis i sigurt dhe mbështetës për fëmijët, rritja e ndërgjegjësimit dhe angazhimi i komuniteteve lokale në nisma që promovojnë të drejtat e fëmijëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre. Presidenti Duka vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
Armand Duka, President i FSHF: Për Federatën e Futbollit kjo nuk është dita e parë për këtë lloj kauze, është vazhdimi i punës tonë të përhershme. Ne e kemi në objektivat tonë ndikimin nëpërmjet futbollit për përmirësimin apo mbrojtjen e fëmijëve, por ky është një lloj institucionalizimi për të bashkëpunuar bashkë, për të dhënë mesazhe pozitive për të drejtat e fëmijëve, për të drejtat e grave e vajzave dhe çdo gjë që mund të bëjmë bashkë. Unë jam i sigurt që me këtë lloj bashkëpunimi ky mesazh do të përçohet shumë më mirë dhe së bashku do t’ia arrijmë qëllimit tonë të përbashkët që është e ardhmja e jonë, që janë fëmijët tanë.
Ndërsa përfaqësuesi i UNICEF, Murat Sahin, theksoi se ky partneritet shërben për të ndërtuar komunitete që kujdesen për të rinjtë dhe me anë të futbollit fëmijë të ketë mundësinë të shpalosin potencialin e tyre.
Murat Sahin, përfaqësues i UNICEF: Me anë të futbollit dhe sportit për zhvillim, ne mund të arrijmë në çdo shtëpi, shkollë apo komunitet në Shqipëri dhe të ndërtojmë vetëbesim, respekt, aftësi konjitive për fëmijët, që ata të mund të përmbushin potencialin e tyre dhe të bëhen qytetarë aktivë të vendit të tyre.
Memorandumi i bashkëpunimit përfshin aktivitete dhe trajnime të ndryshme për trajnerët, prindërit dhe ambientin sportiv mbi të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Klan News