Klodian Rasha ishte vetëm 26 vjeç kur u vra tragjikisht nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj. I riu u shua në ditën e Rinisë. Pikërisht në këtë ditë, një vit më pas, familja e tij bëri homazhe në memorialin e vendosur në sheshin Skënderbej.
Babai i Klodianit, Qazim Rasha, në një prononcim për mediat kërkoi që të hetohen personat që ndërtuan skemën dhe tentuan që të inkriminojnë djalin e tij duke vendosur një pistoletë pranë vendit të ngjarjes.
“Kjo ka qenë arsyeja që ditën e parë që ju kam kërkuar që këto lloj plage dhe tragjedie të mos i imagjinojë askush, që të tilla tragjedi në 2021 të ketë asnjë familje, asnjë lloj kombi, asnjë lloj qenie njerëzore. Dua të shpreh mirënjohjen për secilin që ka shprehur interes për familjen time. Edhe dua që t’i shpreh besoj, që nuk ka qenie njerëzore, nuk ka specie në botë që të imagjinojë që në vitin 2021, një nënë, një baba, aq më tepër një malësor si puna ime të luajë dhe të mendojë dhe të imagjinojë të shesë dhe blejë gjakun e fëmijës së vet. Ky nuk është faji im, është faji i asaj lloj specie, asaj lloj qenie që mund t’i shkojë ndërmend. Duke iu shprehur mirënjohje të gjithëve ju kam deklaruar edhe më parë që në shtëpinë time kam pritur dhe kam përcjellë nga dita e parë dhe ditën e sotme numër të madh njerëzish. Jam mirënjohës për gjithsecilin, qoftë qytetarë të thjeshtë, qoftë pushtetarë. Shteti, jemi banorë të këtij shteti, e ka detyrim dhe e ka për detyrë, atë që ndoshta nuk e ka bërë deri tani ta bëj. Ajo që është më esencialja që unë kam bërë, zbardhja e një kriminimi që persona të caktuar, apo segmente të caktuara u munduan që fëmijën ta përbaltin, ta inkriminojnë dhe të arrijnë deri aty sa të vendosin edhe armën që fëmija të bëhet kriminel. Sot është momenti që ia kërkoj shtetit që përbaltjen e djalit, inkriminimin, edhe atë vendosjen e armës aty bën mirë që shteti ta gjejë dhe ta çojë aty sa unë nuk kam vendosur akoma me e kërkuar për ta gjet vetë. Lus që tragjedi të tilla të mos përjetojë asnjë person. Ju shpreh mirënjohjen ndaj gjithsecilit çfarë keni bërë ndaj meje. Jeni vlerat që meritoni respektin maksimal”, tha ai.
Nevaldo Hajdaraj u dënua me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit dhe do të vuajë vetëm 10 vite burg.
Klodian Rasha u vra mëngjesin e 8 Dhjetorit gjatë kohës kur ishte në fuqi ora policore. Vrasja e tij provokoi protesta të dhunshme në Tiranë për më shumë se një javë rresht./tvklan.al