Në rendin e ditës në parlament këtë të mërkurë është edhe Akti Normativ për një shtesë në ligjin e sigurimeve shoqërore që është propozuar nga qeveria pas vrasjes së Klodian Rashës.
Deputeti socialist, Alket Hyseni, në fjalën e tij tha se ky propozim është bërë për t’u ardhur në ndihmë familjeve që mund të humbin personat e dashur për shkak të veprimeve nga individë të veçantë nëpër struktura të ndryshme shtetërore.
Aktin normativ të qeverisë për trajtimin financiar mujor për babain e Klodian Rashës, deputeti e cilësoi si akt moral ndjese kolektive edhe pse faji ka qenë individual.
“Për këtë arsye vjen ky reagim i qeverisë shqiptare, reagim si akt human i shprehjes së dhimbjes dhe solidaritetit, ky reagim i qeverisë shqiptare si një akt politik përgjegjshmërie institucionale, ky reagim i qeverisë shqiptare si një akt moral ndjese kolektive edhe kur faj mund të jetë individual”, tha Hyseni.
Deputeti i ktheu përgjigje edhe akuzave të opozitës. Sipas tij ata kanë keqpërdorur aktin normativ, njësoj si vrasja tragjike e Klodian Rashës. Hyseni foli edhe për termin e përdorur në aktin normativ ku vrasja cilësohet si aksidentale. Ai u shpreh se ky term përdoret gjerësisht në ligjin për sigurimet në vendin tonë.
“Fatkeqët e vjetër të qefinj politikës tentuan të keqpërdorin edhe këtë akt normativ ashtu siç keqpërdorën ngjarje për kreditë politike të pamerituara. U përpoqën të luajnë edhe me termin aksidental të këtij akti që në fakt është një term i mirëfilltë juridik, zhargon në ligjin për sigurimet në Republikën e Shqipërisë, i cili në asnjë rast nuk konfondon faktin e ngjarjes dhe në asnjë rast nuk i jep të drejtë asnjë organi shtetëror përveçse drejtësisë për të definuar nëse kemi të bëjmë me një veprim të paligjshëm që është vepër penale që dënohet si vrasje, vrasje me dashje, apo pakujdesia, çdo formë që përcakton ligji”, tha Hyseni./tvklan.al