Pjesëmarrja e vogël e ekonomisë kosovare në atë botërore ka bërë që vendi të mos zhytet shumë në recesion si pasojë e krizës ekonomike globale.
Pavarësisht kësaj kriza ekonomike ka prekur vendin me zvogëlimin e eksporteve prej 40%, rënien e parave të ardhura nga emigrantët prej 8% dhe rënien e investimeve të jashtme prej 30%.
Këto vlerësime u shpalosën nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, në ceremoninë e përvjetorit të 10 të saj.
Hashim Rexhepi: “Ekonomia e Kosovës duket të jetë izoluar në njëfarë mase nga këto zhvillime në ekonominë botërore. Kjo është edhe rezultat i përfshirjes së vogël të ekonomisë së Kosovës në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë parashikimet e rritjes ekonomike në vitin 2009 janë më të ulëta në krahasim me vitin paraprak.”
E derisa Shqipëria është përballur kryesisht në dy sfera në valën e krizës globale, në atë të disbalancit tregtar dhe uljen e dërgesave të emigrantëve, guvernatori i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Ardian Fullani vlerësoi se tashmë janë marr të gjitha masat që ekonomia e vendit të mos preket më thellë nga kriza.
Ardian Fullani: “ Kontributi më i madh që mund të japin këto ekonomi të vogla është paqe sociale dhe zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomive të tyre. Kosova dhe Shqipëria po e bëjnë këtë, ndaj le të promovojmë këtë si një ftesë për investimet e huaja.”
E për ekonominë kosovare sfidë mbetet krijimi i kushteve të favorshme për kredidhënie e cila drejtpërdrejt do të ndikonte në xhepat e qytetarëve. E për diçka të tillë, tërhoqi vërejtjen presidenti i vendit.
Fatmir Sejdiu: “Hapja e mundësive të reja për një konkurrencë plus e cila do ndikonte drejtpërdrejt sidomos në sistemin e bankave të tjera, në uljen e interesave, në joshjen me garancia të qytetarëve për investime të mëdha.”
Me rastin e këtij përvjetori, BQK organizoi një konferencë ndërkombëtarë ku një ndër të arriturat më të mëdha vlerësohet të jetë menaxhimi me sukses i procesit të kalimit nga marka gjermane në Euro, që ndodhi që nga dita e parë e vitit 2002./tvklan.al