Banka e Shqipërisë sheh me shqetësim perspektivë në tkurrjes të dërgesave valutore nga emigracioni. Të ardhurat e emigrantëve kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend si dhe kanë balancuar raportin të ardhura shpenzime. Statistikat për muajt e parë të këtij viti tregojnë se gati 1 në 4 familje shqiptare përfiton direkt para nga emigracioni, por horizonti afatgjatë i prurjeve valutore është i turbullt.
Ardian Fullani: “Analizat e vlerësimet tona tregojnë se vështirësitë ekonomike të shprehura në ngadalësimin e ekonomisë, rritjen e papunësisë dhe inflacionit që kanë përfshirë ekonominë e vendeve zhvilluar, kanë ndikuar dhe në ecurinë e dërgesave të cilat për këtë vit janë rritur më pak se periudhat e mëparshme. Studimet inpirike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se një ndërprerje e këtyre flukseve do të vinte në vështirësi serioze modelin tonë të konsumit”.
Në vendet e tjera, ndryshimi konsumatore bëri që familjet të mos paguanin dot kreditë bankare e të mbanin të njëjtin nivel konsumi, çka solli ngadalësim të ekonomisë dhe krizën financiare. Shqipëria është një vend deficitar që konsumon më shumë se sa prodhon, por Banka Qendrore po tregohet vigjilente për të parandaluar në kohë ndonjë krizë të mundshme financiare.
Ardian Fullani: “Të nxitura nga rritja e çmimeve të pasurisë, vlerësimi i qëndrueshëm i lekut, dërgesat nga emigrantët, rritja e shpejtë e kredisë dhe e shpenzimeve buxhetore gjatë këtij viti, defiçitat e larta korente janë bërë një fenomen dominues i sektorit të jashtëm. Një rregullim automatik dhe i menjëhershëm i tyre do të shkaktonte një korrigjim të kurseve të këmbimit drejt zhvlerësimit të shpejt të monedhës kombëtare vendëse, rënie të konsumit privat dhe publik e për rrjedhojë, tkurrje të aktivitetit ekonomik në shkallë sa të gjeneroj krizë të sektorit të jashtëm dhe potencial për t’u përhapur në ekonomi duke kërcënuar stabilitetin financiar”.
Në lidhje me inflacionin, Banka e Shqipërisë parashikon që gjatë muajve në vijim ai të luhatet rreth objektivit prej 3%. Megjithatë për guvernatorin Fullani kurba e inflacionit mund të rrezikoj të ngjitet edhe më lart e diktuar nga faktor të jashtëm, por edhe të brendshëm si rritja e pagave apo një krizë energjetike.
Ardian Fullani: “Çdo rritje e pagave e këtij lloji nuk do të bënte gjë tjetër veç se do të rigjeneronte inflacion të ri duke imponuar një rritje tjetër pagash e cila nga ana tjetër do të prodhonte përsëri inflacion. Më lejoni që të sqaroj se kjo nuk është rruga e duhur”.
Deklaratat e guvernatorit Fullani erdhën gjatë një takimi rajonal me temë sistemi bankarë nxitës i zhvillimit ekonomik i mbajtur në qytetin e Kukësit. Krahas bankierëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe një delegacion kosovar i kryesuar nga guvernatori i Bankës së Kosovës Hashim Rexhepi. Më herët të dy guvernatorët ranë dakord të bashkëpunojnë në arritjen e standardeve.
Hashim Rexhepi: “Kosova si një shtet i ri është duke bërë përpjekje të mëdha që ta gjej veten në nën familjen e komitetit ndërkombëtarë që të anëtarësohet në institucione të ndryshme që janë me peshë dhe rëndësi për neve. Unë kisha kërku t’ju nis prej bashkëpunimit tonë shumë të afërt që të kemi mbështetjen e përhershme të juajën personale dhe të Bankës së Shqipërisë”.
Guvernatorët u ndalën edhe në degën e Fakultetit Ekonomik të Tiranës në Kukës, si edhe në bashkinë e qytetit u takua më kryetarin Hasan Halilaj. Kukësi po shndërrohet në një pikë strategjike për zhvillim ekonomik të vendi, autostrada Durrës-Kukës vepra më e rëndësishme e infrastrukturës shqiptare si dhe aeroporti tashmë i përfunduar, janë dy kolona të rëndësishme që do mbështesin këtë zhvillim./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro
Operator: Izdor Rudho
Montazh: Ergis Hasanbelli