Ka shfrytëzuar 10-vjetorin e krijimit të Bankës ProCredit në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha për ti ritheksuar qëndrueshmërinë e sistemit tonë bankar. Një sfidë që tingëllonte e vështirë për shkak të krizës financiare botërore.
Sali Berisha: “Sistemi bankar është një sukses i vërtetë në Shqipëri, por unë shpresoj dhe besoj se shumë shpejt këtë sukses do ta prekin dhe ndjejnë shqiptarët në të katër anët e vendit edhe shqiptarët që jetojnë në zonat e thella. Do kenë dhe ata mundësi të kenë akses të gjerë në sistemin e kreditimit. Sistemi bankar financiar dhe ekonomia shqiptare sot janë solide, ekonomia rritet dhe jam i sigurt që këtë vit ekonomia rritet dhe jam i sigurt që këtë vit do të ketë rritjen më të lartë në Europë. Natyrisht, jo atë që dua unë, por tregu dhe ambiciet e mia janë dy gjëra jo të njëjta. Shfrytëzoj rastin për tu garantuar ju se qeveria ime është e vendosur së bashku me ju të vendos kuadrin më të mirë ligjor për veprimtarinë tuaj. Kam vetëm një kërkesë të eci me shpejtësi drejt i-banking.”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, evidentoi si tregues të qëndrueshmërisë numrin e lartë të depozitave.
Ardian Fullani: “Lajmi i madh që duhet të japim sot jam vërtetë mjaft i kënaqur në analizën e fundit të bërë dje del që si besimi i publikut ndaj sistemit bankar është totalisht i rikuperuar dhe kjo shprehet në depozitat e sistemit bankar. Niveli i depozitave të sistemit bankar, drejtimi i saj rritës dhe intensiteti, të treja bashkë tregojnë nivele të periudhave të para krizës. Domethënë brenda pak a shumë para një viti Shqipëria arriti të rikuperojë totalisht besimin e publikut në sistemin bankar shqiptar.”
ProCredit është një investim gjerman, investim suksesi siç dhe e cilësoi ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Borchardt. Diplomati i lartë përfitoi nga rasti për të kujtuar se ndihma gjermane në Shqipëri, që prej vitit 1988, ka mbërritur në kufijtë e 1 miliard eurove, vetëm për vitin 2009-2010 90 milion euro.
Bernd Borchardt: “Zoti kryeministër, kancelarja e vjetër federale, zonjë Merkel, në një shkresë urimi të veten me rastin e rizgjedhjes në postin tuaj, ka bërë të qartë dhe ka siguruar edhe njëherë që Gjermania do të vazhdojë ta mbështet Shqipërinë në rrugën e vet drejt integrimit euroatlantik dhe pikërisht kjo shifër e djeshme prej 36 milion eurosh tregon që fjalët tani më po fillojnë të shëndërrohen në veprime konkrete.”
Një rast që kryeministri Sali Berisha e shfrytëzoi për të përshëndetur kancelaren Merkel për fitoren. Një fitore që sikurse tha Berisha ka rëndësi të madhe jo vetëm për Gjermaninë, por mbarë Europën.
Sali Berisha: “Gjej rastin të shpreh një mirënjohje të thellë ndaj kancelares Merkel, qeverisë gjermane dhe kombit gjerman për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar që gjatë këtyre viteve i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Institucionet financiare gjermane kanë qenë ndër institucionet kryesore financiare të kreditimit të këtij vendi. Dua të falënderoj kancelaren për vendimin e saj për të dyfishuar ndihmat për Shqipërinë dhe të garantoj se do bëjmë çdo përpjekje për përdorimin e tyre sa më eficent.”
ProCredit bank i ka shtuar investimit të saj dhe godinën e re, ku do të vendosen zyrat qendrore në Tiranë. Kjo bankë llogarit të paktën 150 mijë klientë dhe një bazë kapitali prej 200 milion eurosh./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi