Ky është momenti kur pas 13 vitesh arrati, policia arreston 61-vjeçarin Pjetër Paçani. Me pamjet tërësisht të ndryshuar, Paçani rezulton një nga 50 të kërkuarit nga policia. Ndalimi i tij u bë nga Forcat e Posaçme Operacionale në një banesë në lagjen “1 Maji” në Fier.
Siç duket edhe nga pamjet, në banesën ku u arrestua 61-vjeçari, u gjetën dhe sekuestruan 3 pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatahedhës dhe 2 antiplumba.
Ish-biznesmeni është dënuar nga gjykata e Tiranës për vrasjen e Ndoc Zymaj dhe Vlash Gjeçi në 18 Janar të vitit 2011. Ngjarja erdhi pas një konflikti që kishte si shkak moskthimin e një huaje.
Biznesmeni nga Laçi i kishte marrë Ndoc Zymajt një shumë prej 100 mijë Eurosh me anë të një kontrate dhe nuk ja kishte kthyer në kohë. Biznesmeni dhe huadhënësi janë konfliktuar fillimisht në telefon dhe më pas lanë takim në një nga lokalet pranë autostradës. Aty ai shkoi i armatosur dhe i vrau të dy ish-bashkëpunëtorët e tij.
Për arrestimin e të shumëkërkuarit Pjetër Paçani reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Në një reagim në rrjetet sociale, Balla shkruan se arratisja nga përballja me drejtësinë po merr përgjigjen e duhur çdo ditë. Sipas ministrit i cili përgëzoi policinë për operacionin e kryer, drejtësia vonon, por nuk harron.
Klan News