Ky është Pjetër Paçani, i dënuar me 25 vjet burg për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në 2011-n. Arratia e tij 13-vjeçare mori fund këtë të martë, pasi u arrestua nga Forcat Operacionale. Sipas gazetarit Besar Bajraktaraj, Paçani u arrestua në Fier. Me vete iu gjetën 3 automatikë dhe 3 pistoleta.
Paçani prej vitesh ishte në mesin 50 personave më të kërkuar në vendin tonë. 61-vjeçari u dënua në vitin 2014 nga Gjykata e Tiranës për vrasje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi më datën 18 Janar 2011, pranë një karburanti në autostradën Lezhë-Tiranë. Pjetër Paçani, i cili ishte biznesmen i një kompanie betoni, ekzekutoi me armë zjarri Ndoc Zymajn dhe Vlash Gjeçit.
Shkak për krimin dyshohet se u bë një kontratë huamarrje mbi 100 mijë Euro, e cila nuk është kthyer sipas kohës së parashikuar në kontratë.
Palët fillimisht u konfliktuan nëpërmjet mesazheve telefonike dhe bisedave, duke ofenduar njëri-tjetrin. Pas kësaj situata përshkallëzoi. Ditën e krimit, Pjetër Paçani mori pistoletën dhe shkoi në lokalin ku Vlash Gjeçi dhe Ndoc Zymaj po pinin kafe.
Sipas dosjes hetimore, Paçani hyri në lokal, nxori armën dhe u tha “…mos lëvizni…”. Hapi zjarr disa herë në drejtim të tyre dhe më pas shtoi “…më shani prap me nënë e motër…”.
Më pas doli nga lokali, hipi në makinën e tij Porsche dhe u largua duke i shpëtuar arrestimit për vite me radhë. Njëri prej viktimave, Vlash Gjeçi, i cili ishte ende gjallë sipas dëshmitarëve tha, “…na preu në besë…”./tvklan.al