Numri i viktimave nga sulmi tragjik në New Orleans ka shkuar në 15, ndërsa 35 të tjerë mbetën të plagosur.

Një person nga Teksasi i quajtur Shamsud-Din Jabbar, shtetas amerikan, hyri me një kamion në një turmë të madhe njerëzish që festonte vitin e ri në New Orleans. Zyrtarët e FBI-së dhe shtetit thonë se një flamur i grupit të Shtetit Islamik u gjet në automjet, ndaj ata besojnë se Jabbar nuk ka vepruar i vetëm. Jabbar u vra pas sulmit menjëherë nga policia.

Presidenti Joe Biden tha se Jabbar kishte treguar edhe më herët se ishte frymëzuar nga grupi ISIS dhe shprehu “dëshirën për të vrarë” në videot e postuara në internet. Hetuesit po vijojnë të kërkojnë prova të tjera në Luiziana dhe shtete të tjera.

Autoritetet kanë bërë të ditur se pas sulmit tragjik u gjetën gjithashtu edhe disa mjete shpërthyese të cilat dyshohen se janë bërë në një shtëpi me qera të marra nga individët që mendohet se janë përgjegjes për sulmin.

Ndërkaq presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump ka kritikuar autoritetet amerikane dhe agjencitë e zbatimit të ligjit pas sulmit vdekjeprurës në New Orleans. Në një postim në Truth Social ai tha se autoritetet  si FBI dhe Departamenti i Drejtësisë nuk bënë punën e tyre në mbrojtje të amerikanëve.

Nga ana tjetër të dhënat tregojnë se Jabbar kishte shërbyer në ushtrinë amerikane nga marsi 2007 deri në janar 2015 dhe më pas në Rezervën e Ushtrisë nga janari 2015 deri në korrik 2020. Ai u vendos në Afganistan nga shkurti 2009 deri në janar 2010 dhe mbajti gradën e rreshterit.

Klan News