Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore.
Në kuadër të operacionit “siguria detare” janë bllokuar 18 mjete lundruese. Nga bregdeti i Ksamilit në pikën më jugore dhe deri tek Liqeni i Komanit në Veri janë bllokuar 11 jet ski, 3 skafe, 3 gomone dhe 1 varkë metalike që kishte të instaluar motor uji.
6 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100,000 lekë.
Ndërsa drejtuesit e mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative për mospajisje me licencën e operatorit turistik dhe për mungesë dokumentacioni.
Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, përgjatë kësaj jave, iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 11 raste që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Koman.
Klan News