Shënohen plot 18 vjet që prej kohës kur të paktën 10 mijë studentë shembën murin komunist. Jo pak për nga misioni i rëndësishëm që kishin marrë përsipër duke u kthyer kështu në simbolin e ëndrrës aso kohe të ndaluar të kombit shqiptar, që kërkonte demokraci.

Thirrja që shoqëroi revolucionin studentor ishte e thjeshtë por me një mesazh të qartë, një aspiratë që shpërthente zinxhirët e izolimit 50 vjeçar, që mposhte frikën dhe i përgjigjej për të parën herë me zë të fortë jehonës së atyre që vuajtën në burgjet e diktaturës. Apo më keq akoma u vranë, në emër të idealeve të tyre.

 “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Thirrja simbol e asaj kohe u shndërrua në orientimin e vetëm të studentëve që të mbështetur nga një grup intelektualësh kishin ngritur në këmbë vetëdijen e një kombi të izoluar. Nga një prej diktaturave me të egra që ka njohur historia e Evropës.

Etja për Europën u përkthye në valën më të madhe të emigrimit ilegal që pasoi hapjen e vendi. Historia u tregua e pamëshirë duke u falur shqiptareve vite të tëra tranzicioni të vështirë. Në një përpjekje të pashoqe për të rimëkëmbur ekonominë ku përpjekjet politike duhet të dëshmonin se në të gjitha rastet destinacioni i vetëm ishte Evropa.

Pas 18 vitesh ëndrra e 8 dhjetorit duket të jetë drejt finalizimit. Shqiptarët ndodhen në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Një proces që në hyrje të vitit që vjen do të finalizohet me ratifikimin e MSA nga të gjitha vendet anëtare të unionit. Brenda të njëjtit vit autoritet zyrtare shqiptare e kanë bërë të qartë se do të aplikojnë për statusin e vendit kandidat.

Ftesa për në NATO, në aleancën më të madhe ushtarake botërore, do të finalizohet vitin që vjen me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë. Për një komb që më shumë se gjithçka ka vuajtur izolimin, tashmë duket se ndan veç një vit nga lëvizja e lirë në kufijtë evropiane.

Shqiptarët do të kenë për herë të parë dhe identitet të ri  po aq evropian falë dokumenteve të reja të identifikimit, një premtim që politika ua kish borxh që prej shembjes së diktaturës. /tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi