Monsignor Vincenzo Paglia është kleriku i parë që hyri në Shqipërinë komuniste të viteve ’90 dhe zhvilloi takim me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë.

Këtë histori, Monsignor Vincenzo Paglia e ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për emisionin Opinion në Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu.

Në takimin me Ramiz Alinë, Monsignor Vincenzo Paglia foli me Ramiz Alinë për hapjen e Shqipërisë.

Ai tregon edhe trukun se si e bindi Ramiz Alinë për të hapur akademinë e priftërinjve.

Sipas tij, Ramiz Alia e kuptonte situatën politike në Shqipëri por nuk dinte si të vepronte.

Monsignor Vincenzo Paglia: Shkova në zyrën e Ramiz Alisë i veshur kështu. Kishte njerëz që shikonin të habitur.

Blendi Fevziu: I pari prift që hynte në majën e pushtetit ateist komunist?

Monsignor Vincenzo Paglia: Po. E takoj Ramiz Alinë. Ndër të tjera i tregoj që kisha organizuar takimin e parë ndërmjet Gorbaçovit dhe Papa Gjon Palit të II. Ja tregova këtë Ramiz Alisë. Mesa duket e bëra të kuptonte që nëse ai do dëshironte një zhvillim mund të organizonim një takim edhe me të, me Papa Gjon Palin e II. Kjo i hapi sytë. Ai e kuptonte që ishte e pamundur të vazhdohej me atë mënyrë dhe unë mendoj se do kisha gjetur momentin e duhur kur ai donte ta hapte portën, por nuk dinte si të vepronte. Ndoshta unë po i jepja çelësin dhe ai më mundësoi gjithçka.

Ai më tha, pas zgjedhjeve të para të lira ju ftoj zyrtarisht të vini në Shqipëri nga fillimi i Prillit ejani përsëri. E pranova propozimin. Ai të jepte përshtypjen e dikujt që kuptonte situatën dhe kërkonte pak ndihmë duke pasur parasysh që kishte nevojë të kuptohej Shqipëria, që më shumë se komuniste ishte nacionaliste.

Unë doja që populli shqptar të ringrihej. Kjo e preku atë dhe unë e kuptova që ai mund të përshpejtonte gjërat. U ktheva në fillim të Prillit, zyrtarisht i mirëpritur. Më pas takova Dom Simon Jubanin në varrezat katolike të Shkodrës. Jubani më tregoi shkurtimisht se si ishte. Ajo çka më mori më shumë kohë gjatë vizitës së 1 Prillit qe biseda e gjatë me Ramiz Alinë. Unë kërkova fillimin e një procesi lirie. Lirisë së fesë dhe shoqërisë, nuk bëra dallim. U fillua me lirinë e besimit fetar dhe atë ditë u premtua edhe rihapja e seminarit të Shkodrës. E pyeta, po ju a do pranonit gjeneralë italianë që të vijnë të stërvisin ushtrinë shqiptare? Ai më përgjigjet absolutisht jo, ne kemi shkollën tonë ushtarake. Përsa i përket klerit, do pranonit të vinin peshkopë nga jashtë? Jo! Atëherë na duhet të hapim akademinë e priftërinjve si akademia ushtarake. Patjetër që po, tha.

/tvklan.al