Danimarka u bë vendi i parë në botë që njohu ligjërisht lidhjet mes homoseksualëve më 1 Tetor 1989. Sigurisht shumë gjëra kanë ndryshuar tanimë dhe martesat apo marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks nuk përbëjnë diçka të pazakontë, por në 1989-ën ishte “zhytje në të panjohurën”. Në maj të atij viti, Parlamenti i Danimarkës miratoi ligjin që i lejonte homoseksualët të regjistroheshin në gjendjen civile në rast se donin të zyrtarizonin raportin e tyre, ose siç quhej ndryshe partneriteti civil.

5 muaj më vonë, 11 çifte morën pjesë në një ceremoni të organizuar në bashkinë e Kopenhagen.

BBC ka filmuar pamjet e asaj dite…

Ceremonia ishte pak a shumë si ato të dasmave. Çiftet u futën në një dhomë të vogël dhe u pyetën nëse duan të vazhdojnë lidhjen mes tyre. Të parët që nënshkruan ligjërisht ishin Axel dhe Eigil, të cilët kishin bashkëjetuar për 41 vite. Pra ata nuk u lejuan të përdorin termin “martesë”, por regjistronin partneritetin e tyre me të njëjtat të drejta si një çift heteroseksual.

Sigurisht kishte disa diferencime, përshembull njëri nga partnerët duhet të ishte shtetas danez, çifti nuk lejohej të birësonin fëmijë dhe bashkimi i tyre s’mund të bëhej në kishë. Megjithatë për një prift të zonës në atë kohë, s’kishte rëndësi vendi ku një çift thotë “Po”. Sipas tij, Zoti i bekon njësoj njerëzit e dashuruar.

Në atë kohë, Danimarka rrezikoi dhe bëri një hap të rëndësishëm. Kjo iniciativë shërbeu edhe si model për shtetet e tjera. Vendet e Evropës Veriore do të vijonin me njohjen e çifteve të të njëjtit seks. Norvegjia, Suedia dhe Islanda miratuan një legjislacion të ngjashëm me Danimarkën në 1996, ndërsa Finlanda ndoqi shembullin 6 vjet më vonë. Holanda u bë vendi i parë që ofroi të drejta të plota të martesës civile për çiftet homoseksuale në 2001. Mbretëria e Bashkuar mbajti ceremonitë e para të partneritetit civil në 2005. Në vitin 2015, Gjykata e Lartë e SHBA vendosi që martesa e të njëjtit seks ishte një e drejtë ligjore. Deri më sot, janë 36 vende ku martesat e të njëjtit seks janë të ligjshme.

/tvklan.al