Negociatat për qeverinë e re nisin pas 2 Gushtit
Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut janë dorëzuar mbi 2000 ankesa që kanë të bëjnë me pretendimet për parregullsi zgjedhore dhe shpalljen e rezultateve, për shkak të sulmit të “hakerave” ndaj ueb-faqes së KSHZ-së, natën e 15 Korrikut kur filluan të publikohen rezultatet e para.
Një parti e vogël maqedonase “E Majta” që në këto zgjedhje ka fituar dy deputetë, ka dorëzuar 1982 ankesa, kurse koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 151.
“Shohim parregullsi të mëdha. Pritshmëritë tona ishin se BDI-ja nuk do të tejkalojë 70 – 80 mijë vota, kështu që pas 2-3 ditëve që i bëjmë analizat konstatohen shumë parregullsi”, thotë Arben Taravari nga Koalicioni ASH-AAA.
Konfirmimi i shumicës parlamentare dhe përbërja e qeverisë së re do të duhet të presin deri pas Festës së Ilindenit më 2 Gusht. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev që udhëheq koalicionin fitues njoftoi se është me pushime dhe se pas kësaj date do të fillojë negociatat për qeverinë e re.
Nga kjo parti thonë se Zoran Zaev do të jetë Kryeministri i ardhshëm. Afatet kushtetuese lidhen edhe me seancën konstituive të përbërjes së re parlamentare që pritet të mbahet mes 30 Korrikut dhe 5 Gushtit.
Klan Macedonia