“Deklaratat të nxjerra nga konteksti”
Kryeministri zgjodhi t’i japë përgjigje notës së protestës së ambasadës franceze duke përdorur komentet e një nga ndjekësve të tij virtualë.
Ambasada i cilësoi si të pavenda dhe sulme ndaj Francës deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në një debat televiziv kur foli për egoizimin e BE siç e quan ai në procesin e shpërndarjes së vaksinave duke e lënë Ballkanin jashtë vëmendjes, ku veçoi si shembull Francën e cila ka krijuar një stok vaksinash të cilat mund t’i ndante.
Por Rama që thotë se nuk i heq as një presje deklaratave të tij, por as nuk mohon ndihmën e BE dhe Francës, e sheh pa lidhje qëndrimin e ambasadës në këtë letër për një deklaratë të nxjerrë jashtë kontekstit.
“Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën në rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë, qyshse vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për njëmijë e një arsye, përfshire pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet. Unë kam folur për një çështje konkrete në një situatë konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë! Lënia jashtë e vendeve të rajonit tonë në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton! Ndërsa ankesa e ambasadës franceze meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tëra menjëherë në asnjë vend të BE”.
Kryeministri përpiqet të ul tensionin e krijuara me selinë diplomatike duke renditur bukurinë e Francës dhe dashurinë e shqiptarëve për të.
“Ankesa e ambasadës franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francën edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, si për mua që flas në emër të Shqipërisë. Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e ambasadës franceze, gabon njësoj siç gaboi ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje! Një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s’ka pse mërzitet, se unë jo e jo, çfarë nuk dëgjoj po nuk mërzitem”, shkruan Rama.
Tv Klan