Avokati i Popullit kërkon sqarime nga Ministria e Arsimit
Vendimi i qeverisë për të rritur mesataren e pranimit në Universitete nga 6 në 6.5 dhe për degët e mësuesisë nga 7 në 7.5 ka krijuar pakënaqësi në radhën e maturantëve që nuk kanë mundur të regjistrohen në portalin e Maturës Shtetërore.
Për këtë Avokati i Popullit i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Arsimit ku kërkon shpjegime në emër të një grupi maturantësh që e cilësojnë penalizues vendosjen e mesatares së re. Sipas tyre ata duhet të ishin njoftuar për këtë kriter në fillim të shkollës së mesme dhe jo në përfundim të saj.
Në letrën drejtuar Ministrisë së Arsimit, thuhet se nuk ka asnjë shtet në BE që e kufizon aksesin në “Bachelor” përmes mesatares. Në ankesën e tyre maturantët shtojnë se ky vendim i qeverisë mund të ishte aplikuar për vitin akademik 2022, por jo për tani.
Në një reagim për Tv Klan, Ministria e Arsimit sqaron se nota mesatare për këtë vit akademik është përcaktuar në bazë të një analize të gjendjes aktuale të arsimit të mesëm dhe të lartë që synon përmirësimin e arritjeve akademike të kandidatëve që do të ushtrojnë profesionin e mësuesit.
Sipas saj, ky vendim për kriterin e notës mesatare u jep mundësisë nxënësve që nuk kalojnë pragun 6.5 për t’u regjistruar në njërën nga programet 2-vjeçare profesionale.
Tv Klan