Ky 28 Nëntor e gjeti programin “Rudina” në Tv Klan në një atmosferë kuqezi duke kremtuar 112-vjetorin e Pavarësisë. Por biseda me historianen Nevila Nika nuk u përqendrua te tematika e njohur e kuadrit historik, por te ana e parrëfyer, grave të fuqishme që kanë kontribuar për të arritur në ditën e Pavarësisë më 1912.

Historiania shpjegon se asokohe gratë kishin rol, por veprat e tyre dhe fjala dëgjohej përmes burrit. Megjithatë, në mesin e shek. XIX ishin pikërisht një grup i konsiderueshëm grash, emrat e të cilave nuk dihen por arritën  të çlironin burrat e djemtë e arrestuar.

Nevila Nika: Nga mesi i shek. XIX, një grup burrash dhe djemsh në Labëri arrestohen nga autoritetet osmane të kohës dhe do të lirohen nga burgu pas disa ditësh falë 200 grave pa emër, thjesht autoritetet thonë që janë rreth  200 gra që sulmuan burgun diku afër Gjirokastrës, diçka e tillë dhe i lirojnë bashkëshortët dhe djemtë e tyre.

Rudina Magjistari: Kjo është histori që nuk është promovuar shumë dhe pak njihet në fakt, qenka shumë e bukur.

Nevila Nika: Është shumë e bukur, por emrat e tyre nuk i dimë, as kush i fut në burg, as nuk i nxori nga burgu.

Rudina Magjistari: Të zonës së Labërisë?

Nevila Nika: Në Labëri, në Kurvelesh./tvklan.al