Xhaxhai i Aleks Nikës ka përfunduar dëshminë e tij në SPAK. Mark Nika tha para gazetarëve se “21 Janari” është një krim shtetëror dhe duhet dënuar i gjithë zinxhiri komandues i kohës kur ka ndodhur ngjarja.


Ai theksoi se sot u thirr në Prokurorinë e Posaçme për një kasetë e cila sipas tij do shërbejë për të çuar më tej hetimin.

“Isha thirr për kasetën me audiopërgjim të Ndrea Prendit. E ka Artan Hoxha dhe është i gatshëm ta dorëzojë. S’kemi prova konkrete, por do hetohen që të shkojmë te prova. Do i jepen SPAK-ut. Nuk u futëm në hollësira, trajtuam dhe anën teorike sepse ka probleme me të drejtën penale. Të hetohet i gjithë zinxhiri komandues, siç ka vendos Strasburgu. Është krim shtetëror dhe shteti duhet të dalë para drejtësisë penale. Si mund të vrasin njerëz në bulevard se kanë ardhur në demonstratë?! Komanda e Gardës bashkë me kryeministrin e kohës dhe ministrin e Brendshëm duhen hetuar.”

Zvarritjen e çështjes për 13 vite me radhë e cilëson një “lojë të politikës”.

I pyetur se ku mund të arrijë SPAK me hetimin, Mark Nika u përgjigj: Kërkova të respektohen procedurat, sepse çështja është e thjeshtë për ta hetuar. Se kur dëgjohet zëri në kasetë, aty përfundon hetimi. Ku u mor forca për të përdorur armët në kundërshtim me ligjin. Ligji e ndalon. Kush i fshiu provat? Kanë deformu plumbin e Aleksit që i ka shkuar në kokë. Vrasje në bashkëpunim, i thashë dhe Prokurorisë, kush ka gjuajtur duhet të përgjigjet.

Këtë të Hënë në SPAK ishte edhe e veja e Aleks Nikës, Rajmonda.

/tvklan.al