Pavarësisht pritshmërisë pozitive që qeveria ka për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit për vitin 2025, një pjesë e të cilave do të sigurohen edhe nga tatimi mbi pagën dhe kontributet shoqërore, Ministri i Financave thotë se shqetësim mbetet borxhi në këtë zë që kap vlerën e 23.4 miliardë Lekëve.
“Borxh i sigurimeve shoqërore është 23.4 mld lekë, gjysma është i pambledhshëm sepse subjektet janë mbyllur dhe rreth 12 mld është borxh që ka edhe penalitete për pagesa të vonuara”, tha Malaj.
Qeveria ka premtuar rritje të pensioneve, si pasojë e një reforme që do ndërmarrë përmes kontributeve shoqërore e shëndetësore, por opozita ngre pikëpyetje se ku do të gjenden këto para.
“Keni parashikuar rritjen e TVSH-së si pasojë e inflacionit dhe rritjen e sigurimeve shoqërore nga rritja e pagës minimale, që do të sjellë 60 milionë euro. Ndërkohë, lufta ndaj informalitetit do të sjellë vetëm 15 milionë euro më shumë. Pra, si do t’i rrisni pensionet që pretendoni”, pyeti deputetja Jorida Tabaku.
Ministri Malaj tha se po investigohen të gjitha rastet e bizneseve që kanë shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe se në ndihmë pritet të vijë edhe inteligjenca artificiale.
“Do fusim inteligjencën artificiale që do çojë në bllokim të llogarive për ato subjekte që kanë detyrime dhe s’i shlyejnë në kohë, për të bërë bllokimin e aseteve me detyrime”, tha Malaj.
Në buxhetin e 2025-ës në aspektin e shpenzimeve sociale janë parashikuar nga 263.8 miliardë Lekë për fondet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Tv Klan