Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një hap shumë premtues vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re financimi prej 250 milionë Euroshe kredi të buta për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia. Më tej, Rama shpreh objektivin që në Shqipërinë e vitit 2030, eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliardë Euro.

Edi Rama: Të gjithë përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë këtu të pranishëm për një proces që e kemi nisur disa kohë më parë dhe që sot e kurorëzojmë në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re financimi prej 250 milionë Eurosh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes bankës qëndrore dhe bankave të nivelit të dytë për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë.

Ky është një hap i madh cilësor, shumë premtues për vendin. Në Shqipërinë 2030, eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliardë Euro. Sot jemi mbi 500 milionë Euro eksporte. Ndërkohë, kishim pak më shumë se 100 milionë Euro kur kemi marrë detyrën dhe arritja e objektivit prej 1 miliardë Eurosh kërkon një fuqi të shtuar të sektorit, të fermerëve dhe do të vijë përmes investimeve dhe volumit të sipërmarrjes në fshat. E domosdoshme dhe për Shqipërinë, anëtare të BE-së. Sfida e konkurrencës dhe sfida e përshtatjes me rregulla dhe standarde më të larta, është një sfidë shumë e madhe.

Duhet të biem dakord që 2.1% e volumit të përgjithshëm të kredive për këtë sektor është vërtetë shumë pak. Me bindjen se me mbështetjen reciproke, shumë nga arsyet e ngurrimit do të kapërcehen. Sot mund të ndihemi të gjithë së bashku mirë për faktin se nga një proces prej disa takimesh zinxhir, kemi një produkt të kombinuar mes linjës së re të financimit të Bankës së Shqipërisë dhe mbështetjes që qeveria do të japë duke arritur që përmes garancisë sovrane të mbulojë 70% të principalit të kredisë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama u thotë atyre që presin më shumë financim në sektorin e bujqësisë se norma e interesit do të jetë vërtetë tërheqëse.

Edi Rama: Ne mund të ju themi sot të gjithë atyre që presin më shumë financim në sektorin e bujqësisë se norma e interesit do të jetë vërtetë shumë tërheqëse dhe se ne nga ana tjetër me të gjithë dijen e fituar nga puna e madhe që na ka dhënë plot 500 projekte falë ndërveprimit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural do të mund të ju gjendemi pranë fermerëve që të rrisim me një shpejtësi volumin e investimeve për të arritur 1 miliardë Euro eksporte. Ne arrijmë të vendosim dhe bujqësinë në të njëjtin nivel të arritjeve të Shqipërisë si një anëtar i ri, dinjitoz për nga performanca e përgjithshme në BE. 500 projektet janë garanci e madhe për ne përsa i përket dhe mbështetjes së bankave të nivelit të dytë. 70% i ulur i kërkesave për kolaterale do të jetë lehtësim i madh për bankat. Jam i bindur se ne do të bëjmë një histori të re suksesi, ku të gjithë do të dalin të fituar. Investimet në sera për ne janë prioritet. Prioritare edhe investimi në agropërpunim.

Kryeministri Rama e ka vënë theksin edhe tek Paketa e Maleve, për të cilën ka thënë se do të sjellë kërkesë të rritur për agroturizmin.

Edi Rama: Agroturizmi është një tjetër prioritet. Paketa e Maleve krijon një lehtësi të re duke i mundësuar të gjithë atyre që duan të investojnë në Shqipërinë rurale dhe që kanë probleme me titujt e pronësisë që të keni garanci të plotë për investimin e tyre duke kaluar përmes një procesi të lehtësuar të njohjes të së drejtës për përdorimin e tokës. Paketa e Maleve do të sjellë kërkesë të rritur për agroturizmin. Paketa i jep një garanci të plotë për lehtësim 100% nga barra fiskale për 10 vjet. Ata që do të aplikojnë të parët, do të shërbehen të parët në këtë kuadër.


/tvklan.al