Qeveria miratoi VKM -në që lejon Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare të blejë energji në kohë krize. Por ky vendim ka përçarë ministrat teknike të Partisë Demokratike.
Tre prej tyre, Ministri i Shëndetësisë, i Brendshëm dhe Ministrja e Arsimit kanë firmosur pro autorizimit për përdorimin e fondit 22.4 milion euro të dhënë nga Banka Botërore për Rimëkëmbjen e Sektori të Energjisë.
Ndërsa 4 ministra të tjerë e kanë kundërshtuar edhe vendimin e dytë të Këshillit të Ministrave, ndonëse një ditë më parë, ata pranuan se në këtë VKM ishin reflektuar edhe shqetësimet e tyre.
Blerja e energjisë tashmë mbetet për muajin Gusht, pasi për Korrikun të gjithë importin e bëri kompania e shpërndarjes, OSHEE.
Të kontaktuar nga Televizioni Klan, burime pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë thonë se importet do të rakordohen mes KESH dhe OSHEE-së, në mënyrë që përdorimi i fondit të jetë sa më efiçent dhe të preken sa më pak investimet e kompanive.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë shpenzoi 24 milionë euro për të siguruar energji vetëm për Korrikun. Çmimi i energjisë elektrike në të gjithë Ballkanin ka arritur në nivelet më të larta vjetore për shkak të thatësirës që ka prekur rajonin. Në tenderin e fundit 1 megavat orë kushtonte rreth 70 euro nga 40 që tregtohej në muajin Prill.
Ministrat teknikë të Partisë Demokratike refuzuan ta firmosin VKM-në e partë me pretendimin e nuk ishte e shoqëruar me relacionin përkatës dhe nuk kishte marrë miratimin e Ministrisë së Financave dhe Drejtësisë. Për këtë arsye kërkuan rishikimin e VKM –së. Por edhe pas rishikimit të njëjtët ministra refuzuan.
Ndërkohë që disa dokumente të Ministrisë së Ekonomisë të publikuara në Televizionin Klan dëshmuan se edhe kërkesa e parë ishte e shoqëruar nga relacioni dhe miratimi i Ministrit të Drejtësisë dhe të Financave. Me blerjen e energjisë nëpërmjet këtij fondi KESH do të sigurojë energjinë e nevojshme dhe do të evitojë prekjen e fondit të investimeve për OSHEE.
Tv Klan