Shqipërinë nga Janari në Korrik të këtij viti e kanë vizituar 6.3 milionë turistë të huaj.
Shifrat u bënë publike për herë të parë nga kryeministri Edi Rama, dhe tregojnë se për këtë periudhë 7 mujore kanë hyrë mbi 1.2 milionë turistë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2023.
Sipas këtyre të dhënave listën e kryesojnë shtetasit kosovarë me 2.4 milionë, edhe pse ka pasur një debat për bojkotim të pushueseve nga Kosova të bregdetit shqiptar. Më pas renditen Italianët me rreth 640 mijë vizitorë dhe pas tyre janë shtetasit turq, ata Polak, francezë, britanikë dhe spanjoll.
Edhe pse sezoni turistik veror është ende larg përfundimit, kryeministri Rama shifrat e publikuara i ka shoqëruar me shtatë pika, ku ka bërë analizën e këtij sezoni veror me të mirat dhe të këqijat e tij, por edhe me sfidat që ka përballë Shqipëria turistike 2030.
Si pikë të parë dhe të fundit në 7 konkluzionet e tij, kryeministri Rama rendit faktin duke e shoqëruar dhe me shifrat zyrtare se numri i turistëve është rritur siç sipas tij është rritur dhe numri i disinformimit për atë që të ofron turizmi në vend.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Shqipëria Turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi, bashkë me nevojat e padiskutueshme, pritshmëritë e natyrshme, pretendimet e mirëkuptueshme, kritikat e pashmangshme apo edhe sulmet që i bëhen nga burime të llojllojshme keqinformimi apo dizinformimi.
Edhe keqinformimi e dizinformimi kanë pasur rritjen e tyre në çdo drejtim, falë shpejtësisë marramendëse të gënjeshtrës në kohën që jeton bota e sotme e kanaleve, portaleve e socialeve, por ashtu siç dielli nuk mbulohet dot me shoshë, as e vërteta e këtij vendi që bëhet më i mirë, më tërheqës, më i sigurt në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 nuk zhbëhet dot nga askush.
Rama pranon se ndarja e hapësirave publike dhe atyre private në plazhe është një çështje që kërkon zgjidhje.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ndër të gjitha pritshmëritë, më e padiskutueshmja është rishikimi i mëtejshëm i formulës së administrimit të plazheve, ku më mbizotëruesja është nevoja jo vetëm për më shumë hapësira publike, po edhe për një shfrytëzim shumë më të përgjegjshëm të hapësirave të administruara nga subjektet private.
Ndërsa sa i takon çmimeve në restorante dhe bare që këtë vit rezultuan abuzive kryesisht në jug të vendit, kryeministri lajmëron se do të këtë një ndërhyrje nga autoritetet.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: 4. Ka pasur eksese kundërproduktive me çmimet në zona të caktuara, përkatësisht Vlorë e Sarandë, ku është regjistruar krahasuar me vjet edhe rritja më e lartë e numrit të bizneseve restorant/bar, me rreth 40% njësi të reja, ndërsa rritja e tyre në shkallë vendi është 37%. Por, ndërkohë që xhiroja në të gjithë pjesën tjetër të vendit është rritur me afro 40%, në këto zona ajo është rritur me më pak se 20%, pikërisht edhe si pasojë e rritjes ekseseve të çmimeve në fillim të pikut të sezonit, të cilat u korrektuan pjesërisht duke nisur nga gjysma e dytë e korrikut – një mësim për të mos u harruar nga operatorët në tregun e lirë, të cilëve nga sezoni i ardhshëm do t’u imponohet afishimi i çmimeve në hyrje të çdo lokali.
Një tjetër sfidë është pastërtia dhe infrastruktura, ndërsa rendit si lajm pozitiv rritjen e lartë të numrit të vizitorëve në zonat malore por dhe në zonat jobregdetare ku kryeson Tirana.
Klan News