Rreth 55 klandestinë janë bllokuar për më shumë se 3 orë në det të hapur, pranë grykëderdhjes së Lumit Vjosa në Vlorë. Ata ndodheshin në një gomone, me synim mbërritjen në Itali, por pasi u bllokuan kërkuan ndihmë nga policia.
Një mjet i rojës bregdetare dhe 2 mjete të Guardia di Finanza morën pjesë në operacionin shpëtimit. Personat që po kryenin transportin arritën të shpëtonin.
Dyshohet se gomonia mund të jetë nisur nga bregdeti I Kavajës, por për shkak të motit të keq është çarë dhe benzina ka djegur disa prej klandestinëve. Klandestinët siarinë u shprehën se kishin paguar lekët për të ikur në Itali.
“Paratë i ka paguar im vëlla, nuk e di sa lekë ka paguar, ne donim të shkonim në Itali, në Europë, kudo qoftë. Kemi qëndruar për rreth 3 orë në det, u dogjëm nga benzina”.
16 persona u çuan në Spitalin e Vlorës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa 9 të tjerë në Spitalin e Traumës në Tiranë, mes tyre edhe 3 fëmijë.
Policia është në kërkim të dy shqiptarëve që po drejtonin gomonen. Kjo ngjarje vjen në 16 vjetorin e tragjedisë së 9 Janarit 2004 ku 28 persona humbën jetën nga përmbysja e një gomoneje në detin përballë Vlorës.
Tv Klan