Gjykata e Posaçme ka vlerësuar masat e sigurisë për 32 personat, të cilët akuzohen nga SPAK se janë përfshirë në trafikimin e emigrantëve. GJKKO ndryshoi masat për 2 nga personat e kapur gjatë operacionit. Në përfundim të seancës, 25 prej tyre janë lënë në masën arrest me burg, 6 arrest shtëpie dhe një detyrim paraqitje.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme është zbardhur skema se si funksiononte grupi i trafikantëve. 44 shqiptarë u larguan me dokumente false drejt Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Kanadasë. Kjo është provuar nga Prokuroria e Posaçme gjatë hetimit të grupit prej 37 personash, 32 e të cilëve u ndaluan gjatë operacionit Nomada.
Në varësi të kërkesave, shumat arrinin deri në 20 mijë Euro për të kaluar në këto shtete me dokumente false. Fillimisht hetimet nisën në vitin 2020 nga Prokuroria e Tiranës, por më pas i mori SPAK. Një agjent i infiltruar zbuloi të gjithë skemën, sesi me agjenci udhëtimi, shqiptarët dërgoheshin drejt vendeve të BE-së dhe më pas me dokumente false largoheshin drejt destinacionit final.
Organizator i grupit dyshohet se është Bashkim Sula, i cili është në mesin e 32 të arrestuarve në vendin tonë. Njazi Ademaj, po ashtu i ndaluar kishte rol gjetjen e personave që u nevojiteshin dokumente false. Një tjetër i pandehur, Xhelal Krasniqi sipas hetimeve rezulton se është personi që në Kosovë kishte ngritur laboratorin e falsifikimit të dokumenteve. Kryesisht falsifikoheshin pasaporta italiane, rumune apo edhe bullgare e sllovene.
Për kryerjen e aktivitetit të paligjshëm ishin ngritur dy agjenci udhëtimi, njëra që merrej me shqiptarët kishin destinacion Anglinë dhe Irlandën, ndërsa tjetra për ata që donin të largoheshin drejt SHBA-së. Shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “SCHENGEN”. Dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin më pas me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë ose në adresa rezidenciale.
Klan News