Gjykata e Apelit jep verdiktin këtë të Martë për vulën e Partisë Demokratike.

Nga njëra anë është PD e përfaqësuar nga Rithemelimi i Sali Berishës, e nga ana tjetër ajo e Lulzim Bashës. Ky i fundit ende rezulton kryetar i PDSH pasi dorëheqja e tij nuk është formalizuar me shkrim dhe nuk është depozituar në regjistrin e partive politike.


Kujtojmë se më 27 Dhjetor 2023, Gjykata e Lartë riktheu çështjen në “Apel”. Kështu u rrëzua kërkesa e grupit të Berishës për të mos legjitimuar grupimin e Enkelejd Alibeajt si palë në proces. Më 19 Mars 2024, Gjykata e Lartë arsyetoi të gjitha shkeljet e bëra nga “Apeli” për çështjen.

Ka lejuar shkelje proceduriale që cenojnë vendimin final, të caktohet një tjetër trupë gjykuese”, thuhej në vendim.


Edhe Gjykata Civile e Tiranës rrëzoi në Prill kërkesën e Gazment Bardhit dhe disa deputetëve të tjerë për çregjistrimin e Bashës si kryetar i PD-së zyrtare. Kjo pasi Këshilli Kombëtar i thirrur në Korrik 2023 prej Bardhit u konsiderua jolegjitim.

E gjithë përplasja mes ‘pjesëve’ brenda PD nisi në 9 Shtator të vitit 2021. Në kohën kur Sali Berisha u shpall non-grata nga Shtetet e Bashkuara, Basha mori vendimin për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

“Që ditën e parë ku u njoha me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit iu bashkova thirrjes për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”, deklaroi Basha 3 vite më parë.

Sigurisht, lideri historik i demokratëve bëri lëvizjen e tij. Më 11 Dhjetor 2021, në 31 vjetorin e themelimit të partisë, ai thirri Kuvendin e PD. Ditë në të cilën u krijua Komisioni i Rithemelimit. Basha iu përgjigj me një tjetër Kuvend, 7 ditë më vonë.

Nga Lezha, mbështetësit e tij kërkuan jo vetëm largimin e Lulzim Bashës, por edhe ndryshime statutore. Mes të cilave, rikthimi i referendumit për zgjedhjen e Kryeministrit.

Situata kulminoi me protestën e 8 Janarit 2022, kur selia blu u kthye në “arenë konflikti” mes demokratësh.

Më vonë, në Mars të 2022-it gjyqtari Agron Zhukri e cilësoi legjitim vendimin e Kuvendit të Berishës për heqjen e Bashës si kryetar i forcës më të madhe opozitare në vend. U miratuan nga Gjykata e Tiranës, ndryshimet e bëra në statut.

Në 6 Qershor të vitit të shkuar u hap gara për kreun e ri të demokratëve dhe çështja përfundoi sërish në Gjykatë. Më 29 Korrik, pas 16 muajsh pauzë, Basha u rikthye në PD.

E.D/tvklan.al