Dominojnë hospitalizimet në moshat 55-75 vjeç, kryesisht kanë dhe sëmundje bashkëshoqëruese
Kurba e të infektuarve nga Covid -19 në vendin tonë në 10 ditët e fundit ka pësuar rritje. Sipas të dhënave nga Ministria e shëndetësisë në rritje janë jo vetëm të infektuarit ditor por edhe rastet aktive.
Nga rreth 6200 të infektuar aktivë në 17 Tetor, aktualisht janë rreth 7300 raste aktive. Vetëm në 10-ditëshin e fundit janë identifikuar mbi 4,640 raste të reja, duke bërë që të infektuarit të rriten me rreth 10%.
Po ashtu, edhe shtrimet në spitalet Covid vijojnë të jenë të larta. Sipas bluzave të bardha gjatë një dite shtrohen 15-20 pacientë të rinj.
Në këto dy javë të fundit numri i pacientëve të shtruar ka lëvizur nga 150 deri në 165 pacientë. Shqetësimi që ngrenë bluzat e bardha është se pacientët shkojnë në urgjencën e Infektivit në një gjendje të rënduar shëndetësore dhe me insufiçiencë të lartë respiratore.
Pacientët nga Tirana përbëjnë numrin më të madh të të shtruarve, pasi janë 38 pacientë, ndërkohë që 5 janë në terapi intensive, në gjendje kritike për jetën. Aktualisht 30% e pacientëve të shtruar në dy spitalet Covid janë nga kryeqyteti. Durrësi është qarku i dytë me numrin më të lartë të shtruarve, sepse ka 17 pacientë, më pas vjen Fieri me 16.
Edhe pse në spitalet e dedikuara për pacientët me koronavirus ka edhe mosha te reja, mjekët thonë se dominon grupmosha, 55-75 vjeç, një pjesë e mirë e të cilëve kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Ndërkohë që 95% e pacientëve të shtruar janë të pavaksinuar ndaj Covid -19.
Klan News