Brenda vitit 2010 katër qytete të rëndësishme të vendit Korça, Gjirokastra, Berati dhe Lushnja do të kenë planet e tyre urbanistike. Ministria e transporteve ka kontraktuar dy firma arkitekturore të huaja. Kontratat e nënshkruara janë financuar dhe janë pjesë e projektit të Bankës Botërore me vlerë prej 1 milion eurosh. 

Ministri Olldashi, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm, shigjetoi drejtuesit e bashkisë së Tiranës, për mungesën e një plani urbanistik për kryeqytetin.

Sokol Olldashi: “Jam i bindur vërtetë që ky është një moment i rëndësishëm për jetën e komuniteteve dhe të këtyre qyteteve. Kemi të bëjmë vërtetë me qytete të rëndësishme. Shpresoj vërtetë që të arrijmë të kemi më në fund edhe një plan rregullues për kryeqytetin. Ka muaj që është bërë dhe ka muaj që mbahet në sirtar. Shpresoj që njerëzit që mbikëqyrin planin rregullues të Tiranës e kanë tashmë kohën e duhur në dispozicion për të kryer procedurat për këtë plan dhe për ta çuar atë përpara.”

Procesi i planifikimit të zhvillimit urban do të ketë vëmendje të veçantë në ruajtjen e kulturës dhe historisë së qyteteve përkatëse.

Niko Peleshi: “Për qytetin e Korçës kjo ka rëndësi të veçantë pasi në këtë periudhë tranzicioni ne ia kemi dal që megjithëse kemi patur një plan rregullues të pjesshëm edhe shumë të vjetër, të hartuar që para ndryshimit të sistemit politik dhe shoqëror në Shqipëri. Ne ia kemi dal që ta ruajmë qytetin nga masakra urbane. Pra qyteti i Korçës tani ka një trashëgimi të përcjellë pa deformime në vite dhe është i gatshëm të hyjë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të planifikuar.”

Këto katër bashki u bashkohen atyre të Durrësit,Vlorës, Shkodrës e Kamzës, të cilat e kanë miratuar planin e tyre  urbanistik prej disa kohësh./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi