Uragani Milton solli në qytetet e Floridës erëra dhe shira të rrëmbyeshëm dhe të paktën disa tornado, thonë autoritetet.

Ai shkaktoi të paktën katër viktima dhe rëndoi bilancin e dëmeve në shtetin i cili më herët u godit nga uragani “Helene”.

Viktimat u raportuan në kontenë St. Lucie kur një tornado e përfshiu një komunitet ku jetonin të moshuar.

Uragani shkatërroi shtëpitë dhe ndërpreu energjinë elekrike për më shumë se 3 milionë familje dhe biznese. Megjithatë, për guvernatorin e Floridës ky ishte skenari më pak i keq.

Ron De Santis paralajmëroi në një konferencë për shtyp se nivelit e ujit mund të rriten në ditët në vijim dhe mund të ketë përmbytje.

“Uragani ishte i rrezikshëm, por fatmirësisht nuk ishte skenari më i keq. Nuk ishte aq shkatërrimtar sa ishte paralajmëruar në fillim.”

Në  Gjirin Tampa, uragani  rrëzoi pemë dhe disa lagje u përmbytën. Ekipet e kërkim-shpëtimit në zonë iu përgjigjën dhjetëra thirrjeve për ndihmë, duke përfshirë njërën në të cilën një pemë ra në një shtëpi me 15 persona, ku ishin edhe femijë.

Zyrtarët kishin paralajmëruar më herët  të paevakuarit të kujdesesshin për veten, sepse punonjësit e emergjencave nuk do të rrezikonin jetën e tyre duke u përpjekur të shpëtonin të tjerët në kulmin e stuhisë.

Klan News